logo

Panairi i 18 i Librit “Tirana 2015″

Më datë 11-15 nëntor 2015 hap siparin Panairi i Librit “Tirana 2015”. Ky është Panairi i 18 që zhvillohet radhazi në qytetin e Tiranës nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e cila organizon Panairin e Librit të Tiranës qysh prej vitit 1998 dhe ka treguar tashmë se është një organizatore efikase e aktivitetit më të madh vjetor për librin, duke shënuar rezultate në rritje nga viti në vit, dhe duke siguruar kështu vijimësinë e Panairit të Librit të Tiranës dhe përkrahjen e gjerë të tij. Organizimi i tij është ngjarja më e madhe kulturore në pasqyrimin e veprimtarisë librore që zhvillohet jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapësirën shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë. Panairi i Librit do të shndërrohet në një ngjarje të rëndësishme kulturore për botën shqiptare, që do të ketë si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim në harkun kohor të një viti nëntor 2014-nëntor 2015. Ky panair do të bashkojë të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë. Tema e Panairit të sivjetshëm do të jetë: “E ardhmja e librit digjital në Shqipëri”. Në këtë kuadër, Shoqata e Botuesve Shqiptarë, organizatore e Panairit, ka menduar edhe dy aktivitete për librin dixhital, një konferencë dhe një workshop praktik për prodhimin e librit apo dizajnit të librit të digjitalizuar. Gjithashtu së bashku me Vodafone Albania, do të shpallet projekti për leximin nëpërmjet telefonit dhe përdorimit të teknologjive të reja të leximit edhe në Shqipëri. Gjatë 5 ditëve të Panairit do të organizohen aktivitete të shumta. Krahas çmimeve tradicionale të përvitshme të Panairit, këtë vit do të ketë një çmim të veçantë përkthimi “Fan.S.Noli”, që do të jetë figura që do të nderohet këtë vit, me rastin edhe të 50-vjetorit të vdekjes. Në Panairin e 18 të Librit do të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese vendase e të huaja, institucione të arsimit të lartë, dhe organizata të tjera që punojnë me librin. Në këtë Panair do të ketë një pjesëmarrje të gjerë të ambasadave e institucioneve të huaja në vendin tonë, duke i dhënë kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme për vendin tonë një karakter ndërkombëtar. Ky Panair do të shndërrohet në një panel të rëndësishëm diskutimi për artin dhe kulturën.